Fadil LEPAJA

E di, do të thoni se nuk ishte ura, por Muri i Berlinit. Të gjithë këto kohët e fundit e kanë shlyer nga përdorimi metaforën e Murit të Berlinit. E di se do të më thoni, mbase, se nuk po flas fare për Berlinin, por për Mitrovicën, dhe për… Beogradin! Për asgjë! Do të thoni: je jashtë teme, vëlla. Pse, çfarë ngjashmërie ka Serbia me Gjermaninë dhe Mitrovica me Berlinin? Apo ura me murin? Ka or, si nuk ka. Nuk po flisja për vende. Po flisja për çmendurinë e cila kur fiton në zgjedhje, në Ballkan, zyrtarizohet dhe atëherë me eufemizëm quhet politikë ndërnacionale. Ju mund edhe të mohoni, por në Mitrovicë i kemi të gjitha elementet e çmendurisë, të ndarjes, për të mundur që ta përdorim murin si metaforë, urën apo çfarëdo qoftë të Berlinit – nga koha e luftës së ftohtë – dhe për të sharë iracionalitetin në politikën e dy dhe më shumë vendeve rreth urës.

Ka edhe dallime, natyrisht, por ato nuk janë relevante për nevojat e këtij shkrimi. Të fillojmë me një barsoletë. Ju kujtohet ajo barsoleta pa lidhje, në të cilën moderatori i një kuisi televiziv e pyet një garues se cili lum kalon nën urën e Savës? Nuk ju kujtohet, me siguri, përpos nëse jeni i gjeneratës mbi dyzet. Kur kemi parasysh moshën e shqiptarëve në Ballkan dhe të ndarjes së tyre, e cila kishte zgjatur një shekull, është gati e sigurt se kjo do t’i kujtohet vetëm një përqindjeje shumë të vogël të lexuesve. Natyrisht, kjo i ka edhe avantazhet e veta, sepse më lejon që edhe barsoletën ta manipuloj sipas definicionit politik që u shpall këto ditë për ligjin, i cili thotë se “Ligji është si llastiku”. Ju do të qeshni, kot gjithsesi, sepse Ligji me të vërtetë është i tillë në vendin tonë dhe barsoleta me të cilën qeshet ndër ne shpeshherë është një ngjarje e vërtetë. Për ata që nuk e dinë, Sava është një lum i cili kalonte nëpër dy republikat kyçe të ish-Jugosllavisë, tash shtete të pavarura dhe ende të papajtuara krejtësisht.

Dhe, ju me logjikë të shëndoshë mendoni se pyetja me të cilën e filluam këtë kolumne ishte një pyetje e lehtë? Nuk ishte. Nuk ishte, sepse në marrëdhëniet serbo-kroate asnjëherë nuk kishte logjikë të shëndoshë. Së paku jo për vet serbët dhe kroatët. Ata nuk ishin vetëm serbë dhe vetëm kroatë. Ata bashkonin dhe ndanin civilizimet. Prandaj, nuk kishte as përgjigje të lehtë. Përgjigjja ishte krejtësisht subjektive. Përkundër faktit se kjo tashmë tingëllon krejtësisht qesharake, ai i bindur se ka të drejtë, ishte përgjigjur se nën urën e Savës kalon Danubi. Por, nuk e kishim me Danubin, as me Savën, e as korridorin strategjik të transportit kontinental të mallrave.

E kemi me çmendurinë e një marrëdhënie, me Ibrin, me urën dhe përfundimisht me murin, Pra, me Urën e Berlinit në Mitrovicë. Ura nuk bashkon brigje, ura nuk është vazhdim i një rruge që refuzon të njoh pengesat e natyrës. Në Mitrovicë kishim urën e cila u bë e famshme, sepse ideatorët e konfliktit nuk e shohin si urë po si mur, si pengesë. Ata e shohin si një pikë ndarëse, jo vetëm mes dy popujve, por edhe në mes civilizimeve. Prandaj, e krijuan edhe simbolikën e re. E krijuan edhe murin. Këtë e bënë që bota ta kuptojë atë si një mburojë, gjoja nga rreziku që vjen nga jugu. Pas kritikave të mëdha, jo vetëm nga shqiptarët, ata e ulën murin, madje i dhanë edhe kuptim tjetër, por gjithsesi aty mbeti një pengesë e betontë që nuk e lejon urën të kryejë funksionin e saj. Sido që ta quash, mbetet një pengesë e cila e zëvendëson barrikadën e dikurshme, apo si u riformulua më vonë, “Parkun e paqes”, apo… çfarëdo pengese tjetër për të qarkulluar mbi këtë urë e cila i lidh dy pjesë të vendit.

Pra, sado i gjatë që të jetë, apo sado i lartë që të mbetet, si pasojë e negociatave të ndërmjetësuara nga BE, prapë se prapë pengesa po mbetet në urë. Quaje mur, quaje “Park i paqes”, apo amfiteatër i hapur në rrugë. Krejt mbetet njësoj. Një urë e cila lidhë dy sheshe, në krye të cilëve valojnë flamuj të shteteve të ndryshme. Pra, nuk mund të mohosh se tashmë e kemi edhe murin, qoftë ai edhe në formë ure. Muri është fakt politik. Por, ka shumë arsye që atë të mos e quajmë Muri i Mitrovicës, madje të mos e quajmë as mur. Serbët politikë, pra Qeveria e Serbisë , e cila flet përmes gojës së zyrtarëve lokalë, thonë se ai është më tepër një pjesë mbrojtëse e një amfiteatri të hapur në rrugë, ku do të performojë politika serbe për spektatorët andej (këndej) murit.

Pra, nga ndërtesat në jug, me një palë dylbi të mira mundet edhe të shihet fare qartë performanca politike në teatrin e hapur të rrugës, në sheshin i cili e mban emrin e një mbreti serb. Krejt kjo mund të shihet nga Sheshi “Adem Jashari”, këndej ure, pa paguar biletën. Për ta mbyllur këtë bisedë, po konstatojmë se pas kësaj, as muri, as Ura e Mitrovicës, nuk do të jenë fjala e fundit e ideologjisë përjashtuese të Qeverisë serbe në veri të Kosovës. Amfiteatri i hapur, në rrugë, mbetet zbulimi i fundit politik. Beogradi do që me “kulturë” ta mbajë të bllokuar urën. Me apo pa kulturë, më thoni se nuk bëhet fjalë për një urë që nuk lidh brigje?

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . URA E BERLINIT NË MITROVICË URA E BERLINIT NË MITROVICË Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!