Astrit PATOZI

I(e) dashur mik(e),

Nuk ka vite të mirë dhe vite të këqinj, ndaj mos e mallko këtë që po ikën, duke uruar më kot lumturinë, që si gjithmonë nuk ka për të ardhur pas 1 janarit. Bardh-e-zia nuk ndihmon asnjëherë për të ndjerë dhe kuptuar se dhimbja dhe gëzimi duhen trajtuar me të njëjtin kujdes dhe me të njëjtën përunjësi. Por kjo nuk e ndryshon faktin që ngjyrat e jetës në masën më të madhe i përcaktojmë vetë.

Është ditë bilancesh, por ato jo gjithmonë kanë lidhje me shifrat. Mos u xhelozo pa lidhje për ata që dinë vetëm të numurojnë, njerëz apo sende qofshin. Fatmirësisht, aritmetika është shkencë monotone dhe shumë e pamjaftueshme për të shpjeguar kuptimin e jetës.

Besimi dhe shpresa janë pasuri të pacmuara, që ende nuk kanë dalë në shitje. Por ti mos e merr si të shkruar nga Zoti këtë, sepse ato mund të falen dhe të jepen në përdorim. Sic, për fat të keq, na ka ndodhur.

Unë e di se nuk është gjithmonë e lehtë të ndash engjëllin nga djalli, për sa kohë që patetizmi vijon të mbetet sport i preferuar. Por kjo nuk do të thotë se për ta mësuar që soba djeg, duhet patjetër të vendosësh dorën mbi suprinën e saj.

Mendo, gjithësesi, të ndreqësh gabimet e tua të vogla, sado të pakrahasueshme të jenë ato me mëkatet e mëdha të atyre që po të shpifin atdheun. Të cilin të ftojnë ta duash vetëm, kur dalin vetë në televizor, ose maksimumi atëherë kur ka ndeshje kombëtarja e futbollit.

Duhet ta dish që Shqipëria fillon nga tavolina jote dhe mbaron tek himni i flamurit, e nuk është aspak e kundërta. Dhe duhet të ndihesh i fortë, sepse ata nuk të ndërrojnë dot ty, kurse ti mund t’i ndërrosh mëkatarët.

Mund të fitosh nganjëherë edhe pa e arritur dot trofeun. Por mund të humbësh thellë, pikërisht atëherë, kur duket se të gjithë po të duartrokasin. Mos të duket e pamundur që fitore mund të arrihet edhe pa mundur domosdo dikë tjetër. Ndërkohë, që mund të humbasësh rëndë edhe po të gjunjëzosh gjysmën e globit.

Uroj që ky të jetë një vit fitues, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale, por jam i sigurt se kjo nuk vlen për të gjithë. Është ekskluzivitet i atyre që besojnë, i atyre që përpiqen, i atyre që luftojnë. Mos ki asnjë dyshim se pas një viti do t’i gjejmë në të njëtin vend dhe në të njëjtën gjendje ata që sot vetëm po luten për suksesin, që s’vjen, me sytë nga qielli.

Cdo ëndërr për të ndryshuar botën fillon nga vetja. Dhe asnjë ndryshim nuk është arritur pa qenë një herë më parë ëndërr.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . QË TË JETË NJË VIT FITUES… QË TË JETË NJË VIT FITUES… Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!