Gojën e kanë përplot Perëndim e Bashkim Evropian. Gënjejnë përditë, secili më shumë se tjetri. Ata gjenden në garë se kush po gënjen më shumë e më mjeshtëri. Gënjeshtra në trurin e tyre është shndërruar në « zotësi normale ».

Gënjeshtrat e manipulimet e tyre janë e vetmja mënyrë e tyre për të mbijetuar dhe vazhduar ekzistencën nëpër postet e gllabëruara dhe ekzistencën me kolltukët dhe privilegjet të zaptuara që nga marrja e votës pakicës së qytetarëve.

Qytetarët që votuan dhe ata që nuk votuan janë mësuar me gënjeshtrat e tyre. Qytetarët e shkretë janë gjunjëzuar, gati se vullnetarisht. A betejën e mbijetesës po e ndërtojnë me heshtje. Heshtja është shndërruar në nënshtrim ‘vullnetar’ dhe është bërë ‘normale’.

Edhe për qytetarët, ata që po dalin në zgjedhje dhe ata që po i bojkotojnë ato, gënjeshtrat e këtyre liderëve janë bërë ‘normale’.

Dhe kur gënjeshtra bëhet « normale », atëherë në të vërtetë asgjë nuk është normale në asnjë shoqëri, në asnjë vend, në asnjë shtet.

Në fund të vitit 2016, qytetarët (shumica prej tyre) e gjunjëzuar dhe të nënshtruar me siguri se do kishin dëshiruar që ‘kryetari’ i tyre apo krerët e tjerë të shiheshin në takime dhe foto me krerët perëndimorë : krerët e BE-së dhe krerët e Gjermanisë duke iu uruar një vit të ri (2017) me ide dhe plane perëndimore për Kosovën dhe rajonin e trazuar të Ballkanit.

Por kjo nuk ndodhi. Kryetari i qytetarëve pakicë të Kosovës ishte dy ditë në Ankara me kundërshtarin e ri të perëndimit (BE-së dhe SHBA-së) dhe mikun e ri e të fortë të Vlladimir Putinit.

Qytetarët (shumica prej tyre) do të donin sidomos që krerët e Kosovës të ardhur në pushtet me votën e pakicës së qytetarëve të Kosovës e sidomos që kryetari i Kosovës apo kryeministri i Kosovës të ishin parë në Berlin apo Bruksel me ide dhe plane për investime të reja perëndimore-evropiane në Kosovë, vendin me të varfër në kontinent.

Por kjo nuk ndodhi. Në fund të vitit 2016 e mbrapshta vazhdoi. Kryetari i Kosovës nuk po ngopet me ‘investimet’ e Erdoganit në Kosovë. Atij nuk i duket mjaft se kompanitë turke marrin nga Kosova qindra miliona në vjet nga importi kosovar, të cilat kur bëhen bashkë me qindra milionat tjerë nga asfalti arrijnë 1 miliardë në vit. Dy autostrada nga 800 milionë dhe dy vite importe nga Turqia nga 200 milionë Euro, bëjnë 2 miliardë në dy vite.

Por kjo nuk është mjaft për kryetarin jo legjitim të Kosovës. Kjo nuk është mjaft as për qeverinë jo legjitime të Kosovës. ‘Investimi’ i ri që Thaçi do të sjellë nga Erdogani është fondacioni ‘Mariif’ për të zëvendësuar fondacionin e Gulenit dhe vazhduar dhe forcuar strategjinë neo-otomane dhe të islamit konservativ në Kosovë dhe Ballkan të Erdoganit.

Bashkë me asfaltin Prishtinë-Han i Elezit, ‘Mariff’ është ‘dhurata’ e re dyshes Thaçi-Erdogan për të gjunjëzuarit e Thaçit, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit, pér qytetarét, përkatësisht atyre që po dalin në zgjedhje dhe atyre që po i bojkotojnë ato.

Këta liderë dhe këto institucione që ka Kosova tashmë e disa vite me radhë – nëse i mbesim besnik fjalës ‘demokraci’ dhe formulës së qeverisjes së shumicës – nuk janë legjitim.

Në zgjedhjet e Kosovës, në nivel nacional dhe komunal 57 për qind e shqiptarëve nuk po dalin në zgjedhje. Këta njerëz janë zgjedhur nga pakica. Në Kosovë pakica sundon shumicën. Krahasojini shifrat e daljes në zgjedhje në Kosovë dhe së fundi ato në Maqedoni.

Prandaj këta ‘udhëheqës’ dhe këto institucione nuk janë legjitime.

Megjithatë është e pafalshme orientimi pro-Erdogan i këtij “kryetari” të Kosovës dhe toleranca që ka ndaj kësaj qasjeje të tij qeveria PDK-LDK, Mustafës dhe Veselit.

Dëmet e shkaktuara nga ky ‘kryetar’ i Kosovës janë aq të rënda dhe të thella. Dëmet e këtilla shihen në gjendjen e arsimit që kemi, në shëndetësi, në ekonomi, në rend dhe ligj, gjendjen sociale, papunësi, né mungesé investimesh perëndimore.

Këto dëme të shumëllojshme dhe shumëfishta janë të pafalshme edhe për partnerët e koalicionit të cilët e bënë këtë njeri kryetar. Prandaj Thaçi nuk është i vetmuar në këto dëme që po i shkaktohen Kosovës dhe popullit të saj shumicë, shqiptarëve.

Faji është i përbashkët i të treve : Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit. Por ky dëm nuk i trazon as këta të dy të fundit aspak. I bashkon pushteti, komoditeti dhe privilegjet që kanë përmes këtij pushteti trekëndësh e jo legjitim të përbashkët.

Por faji është edhe i neve të gjunjëzuarve e të nënshtruarve ndaj grushtit dhe gojës dinake të këtyre liderëve.

Nëse Thaçi për 2017 dëshiron për të ndërtuar ura ‘konstruktive’ me Putinin përmes vllaut të tij Erdoganit, ai nuk është fajtori i vetëm. Ata që nuk pajtohen me këtë qasje pro-Erdogan dhe pro-Putin të Thaçit duhet ta thonë hapur.

Nëse Rusia dhe Putini do t’i përmbaheshin principeve Moska do të duhej njohur Kosovën, siç i ka njohur të gjitha vendet që u shkëputën nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo siç i ka njohur Abkhazian dhe Osetinë Jugore dhe së fundi aneksuar Krimean.

Por Rusia ka synime të tjera në Ballkan. Moska e do Ballkanin me probleme té pérhershme për të shantazhuar Bashkimin Evropian në planin gjeo-strategjik. Prandaj dëshirat e Thaçit për qasje ‘konstruktive’ nga Moska janë një blof dinak i Thaçit.

Isa Mustafa dhe Kadri Veseli e kanë fuqinë për ta kundërshtuar qasjen e mbrapshtë të Thaçit. Por edhe këta të dy nuk qajnë kokën për këso lloj orientimesh anti-perëndimore që po lëshojnë rrënjë gradualisht në Kosovë. Edhe këta të dy janë njëjtë si Thaçi.

Heshtja është miratim. Kosova nuk është duke u bërë evropiane. Ajo po dërgohet në drejtim anti-perëndimor nga kjo klasë udhëheqëse politike shkatërrimtare.

(Autori është gazetar në Bruksel dhe themelues i agjensionit të lajmeve në gjuhën angleze dtt-net.com)

.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Me Erdoganin e Putinin apo Gjermaninë e BE-në? Me Erdoganin e Putinin apo Gjermaninë e BE-në? Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!